Loading...

Lejla Pula, Presidente dhe Drejtoreshë Artistike e Festivalit

Prej shumë vitesh ekzistonte mendimi që thotë se muzika klasike e lënë në trashëgimi nga kompozitorë të mëdhenj botërorë është një art për njerëz të zgjedhur dhe se të tjerët që  nuk mund ta kuptojnë  nuk mund ta vlerësojnë atë. Por ky mendim dëshmohet si i gabueshëm, sepse muzika e shtjelluar artistikisht me tinguj magjepsës depërton në çdo zemer, duke e zgjuar imagjinatën e një bote të veçantë, univerzale të kuptueshme për çdo njeri.

Kjo gjuhë universale na mundëson që ta përjetojmë botën në të njëjtën mënyrë të ndjejmë të njëjtat  emocione dhe ashtu na bën te ndjehemi të lirë dhe të barabartë!

Jashtë kësaj imagjinate, një gjë reale që ende na mungon është mosekzistimi i një shtëpie koncertale kaq të dëshiruar e të kërkuar dhe më se të domosdoshme për zhvillimin e aktiviteteve të artistëve muzikorë. Na mban shpresa se së shpejti do ta kemi edhe atë në Prishtine, kryeqytetin e shtetit tonë të ri.

“Chopin PianoFEST”-i së bashku me shumë festivale të tjera që zhvillohen në Kosove, me punën dhe entuziazmin e tyre, së bashku me qindra talente të reja  muzikore, të etshem për ti dëgjuar këto shfaqje artistike qe e ushqejne shpirtin, kanë deshmuar  kaherë se e meritojne respektin e duhur me rezultatet e  arritura në skenë.

Së bashku me ju i gëzohemi Edicionit të 7- të të festivalit tone, tani tradicional, duke qenë shumë mirenjohës në këtë rrugëtimin tonë për përkrahjen dhe mbështetjen e sinqertë të institucioneve tona e partnerëve tanë pa ndihmën e të cilëve realizimi i synimeve tona kishte qenë i pamundur.

Falënderojmë të gjithë artistët e shquar ndërkombëtarë dhe vendas që do të jenë prezentë në programin tonë, duke shpalosur vlera të larta artistike dhe duke dhënë kontributin e tyre të çmuar festës sonë muzikore!

Shpresojmë se publiku jonë besnik, artdashës, do te ketë momente mbresëlenëse dhe të paharruara të perjetimeve muzikore!

“Viva la musica”